Bazilika gjendet në kodrën Tepe në perëndim të Elbasanit. Punimet e gëmimit për zbulimin e bazilikës janë realizuar në vitin 1969. Bazilika është trinefëshe. Në anën lindore të bazilikës gjendet altari me apsidën gjysmërrethore. Në shek. V kisha është përshtatur për qimitir. Në këtë kohë u murosën arkadat dhe salla qendrore u shtrua me mozaik. Mjedisi i altarit ndahej me një ikonostas guri të gdhendur. Nefet anësore u kthyen në mjedise për vënien e lipsanëve.
Më vonë bazilikës iu shtua një eksonarteks në anën perëndimore, nën dyshemenë e të cilit gjendeshin varre me qemer tullash. Në vitin 522 bazilika u rrënua tërësisht nga tërmeti dhe nuk u rindërtua.
Mozaiku i bazilikës së Tepesë shquhet për gërshetimin e elementëve gjeometrikë. Skena e eukaristisë është trajtuar në një sfond gurësh të bardhë. Aty këtu duken gjurmë gjethesh të pikturuara me kubikë tulle të kuq, ndërsa degët e bimës janë pikturuar me gurë të zinj. Rreth katër paneleve të mozaikut gjenden pllaka shtufi, të cilat krijojnë imazhin e një kryqi të hirtë.