Bazilika e “Shën Mëhillit” gjendet në fshatin Arapaj të Durrësit. Kisha është një bazilikë trinefëshe dhe daton në shekullin VI. Përmasat e naosit janë 34×19.8 metra. Naosi ka qenë i shtruar me pllaka mermeri. Kisha ka qenë e ndërtuar me mure prej guri dhe rrasa tullash të lidhura me llaç gëlqeror. Nëpër muret e kishës kanë mbetur ende gjurmë të pikturës murale. Përveç mozaikut në kishën e “Shën Mëhillit” gjenden edhe fragmente skulpturash arkitekturore të ndërtimit fillestar. Bazilika e “Shën Mëhillit” në Arapaj u zbulua në vitin 1980 nga gërmimet arkeologjike.
Në pjesën jugore të naosit gjendet një mjedis me përmasa 9×6 metra, i cili është i shtruar me dy panele mozaiku shumëngjyrësh. Mozaiku përbëhet nga figura njerëzish, figura nga bota bimore dhe shtazore si dhe figura gjeometrike. Njeri mozaik paraqet një peisazh me dy barinj dhe është i mbushur me kafshë e
pemë të ndryshme, ndërsa mozaiku tjetër paraqet eukaristinë të përfytyruar me një kantharis të madh, prej të cilit dalin degë hardhie të mbushura me vile rrushi dhe anash gjenden dy kapronj. Bazilika e “Shën Mëhillit” përmendet nga Ana Komnena kur flet për luftën e bizantinëve kundër normandëve. Në betejën që u zhvillua me 18 tetor të vitit 1081 garda perandorake e Aleks Komnenit u strehua
në manastirin e fortifikuar. Pasi fituan betejën me bizantinët normandët e Robert Guiskardit në ikje e sipër i vunë zjarrin bazilikës së “Shën Mëhillit”