Manastiri i Shën Gjon Vladimirit gjendet në perëndim të Elbasanit. Sipas një gojëdhëne kisha është ngritur mbi themelet e kishës së “Trinisë së Shenjtë”, e cila u shemb nga tërmeti. Më 22 maj 1015 u martirizua Gjon Vladimiri dhe u varros në këtë kishë. Varri i tij u bë burim shërimesh për të gjithë ata që shkonin dhe luteshin aty. Në vitin 1381, Karl Topia dhe i biri i tij Gjergji ndërtuan manastirin e “Shën Gjon Vladimirit”. Në një mbishkrim me përmasa 2.20×0.27 metra, që gjendet i gdhendur në gurin e madh arkitra të portalit të derës jugore të kishës thuhet: “Duhet ditur se ky tempull u shemb nga tërmeti, deri në themel, gjatë sundimit dhe në ditët kur zotëronte mbi të gjithë vendin e Albanit i ndrituri Karl Topia i parë, nip dhe prej gjaku i mbretit të Francës. Ky e ndërtoi këtë tempull të gjithnderuar të shën Gjon Vladimirit dhe e ngriti prej
themeli deri në mbarim nga besimi dhe zemra e përvëluar. Prej lindjes së Krishtit deri në ndërtimin e tempullit janë vjet 1380 dhe prej krijimit të botës janë vjetë 6890 dhe deri atëherë vjet 22 të zotërimit të tij, indikti 5, cikli i diellit 1, cikli i hënës 14, dhe është ndërtuar tempulli që shikon katër herë më i madh se ka qenë më parë tempulli i vjetër”. Kisha gjendet në anën veriore të manastirit. Ajo është e tipit së bazilikës e ndarë në tri nefe me dy rreshta kolonash. Manastiri është i rrethuar me mure. Në një mbishkrim në serbisht, i cili gjendet mbi gurin e madh të portalit të derës jugore të kishës thuhet: “Këtë kishë të shenjtë të Gjon Vladimirit e ka ndërtuar Karl Topia, Zoti i Arbërit, në të 22-tin vit të zotërimit të tij dhe e mbaroi atë në të 24-tin vit të zotërimit të tij”
Karl Topia është bërë zot i Shqipërisë së Mesme në vitin 1359. Mbi një gur të murosur në murin jugor të manastirit gjendet stema e Karl Topisë, e cila përbëhet prej një fushe katrore të ndarë në mes, ku janë gdhendur pesë kryqe, nga të cilët ai i mesit përfshihet brenda një rrethi. Sipër gurit është gdhendur përkrenarja, nga e cila derdhen zambakë, që tregojnë lidhjen e princit shqiptar me princat e Francës. Mbi përkrenare shquhen dy luanë me këmbët e para të ngritura lart dhe me gojën e hapur. Kjo stemë ka qenë një gur që vendosej përsipër varrit dhe vërteton se Karl Topia si ktitor i manastirit ka qenë varrosur aty. Guri ka përmasa 0.98×0.68 metra dhe mban këtë mbishkrim: “Këto janë shenjat e zotit të madh Karl Topisë”.
Në një mbishkrim tjetër të gdhendur mbi një pllakë mermeri me përmasa 50×48 centimetra që gjendet e murosur në anën jugore të kishës shkruhet: “Në vitin e mishërimit të zotit tonë Jesu Krisht 1381, indikti 5, kur zotëronte në Shqipëri shumë i kthjellti princi zoti Karl Topia i parë, prej shtëpisë së Francës, në vitin XXII të zotërimit të tij dhe me të birin e tij shumë të ndriturin, të parëlindurin zotin Gjergj ka ndërtuar këtë kishë”.
Mbishkrimet dhe stema vërtetojnë marrëdhëniet e princëve shqiptarë me kishën ortodokse. Në vitin 1741 në Voskopojë është botuar “Akoluthia e Shën Gjon Vladimirit”, ndërsa në shekullin XVIII ikonografi Kostandin Shpataraku e stolisi kishën e manastirit me ikona të një vlere të lartë artistike. Mbi ikonën e Shën Kollit gjendet mbishkrimi: “Lutje e shërbëtorit të perëndisë Suta, i Xhimxhit Dhespinës, për shpëtimin e shpirtit dhe kujtimin e tij 1795, mars 15”. Ndërsa mbi ikonën e Shën Thanasit gjendet ky mbishkrim: “Lutje e shërbëtorëve të perëndisë, Prend Nishkut dhe bijve të tij, Markut e Athanasit, 1795 prill 20”.Në ikonën e Shën Gjergjit shkruhet: “Lutje e shërbëtorit të perëndisë Dhimitrit dhe Gjergjit të Prend Gjiungit 1795 prill 10”. Ndërsa mbi ikonën e Shën Harallambit është shkruar: “Lutje e shërbëtorëve të perëndisë, Mark Athanasit dhe Prend Nishkut, 1795 prill 4”.
Në vitin 1856 brenda oborrit të kishës u ndërtua një pus. Këtë e vërteton një pllakë guri e gdhendur që gjendet mbi faqen e murit në qemer: “Viti 1865 nëntor 8. Ktitor është arkimandriti, igumeni Haxhi Grigori meshtari, Murgesha Magdalena për tu treguar brezave të ardhshëm, kryemjeshtër është Athanasi dhe Stojani”. Manatiri ka qenë qendër e rëndësishme për shkrimet shqipe. Aty kanë punuar dhe jetuar personalitete të fuqishme të kohës si Dhaskal Todri, Imzot Visarion Xhuvani etj. Në të kremten e shenjtit në manastir bëhej panair i madh, prandaj thirrej paria e disa qyteteve, të cilëve u bëhej një pritje madhështore dhe gostiteshin mirë.
Sipas Hahnit panairi bëhej dy herë në vit, më 22 maj dhe më 4 qershor. Panairi zgjaste tri ditë ku pelegrinëve u servirej bukë, ujë, ullinj dhe djathë. Pelegrinët hidhnin ndonjë lek aq sa e kishin taksur. Paratë i mblidhte kujdestari i manastirit. Në panairin që bëhej në manastirin e Gjon Vladimirit kujdestaria e parë i takonte Durrësit, e dyta Kavajës dhe e treta Tiranës. Arka ku ruheshin lipsanet e Gjon Vladimirit është grabitur prej çetave të mercenarëve, të cilët luftonin kundër Qose pashës, serasqerit të Manastirit. Grabitësit, pasi hapën varrin e shenjtit morën stolitë prej sermi, sepse koka e Gjon Vladimirit ishte e derdhur në serm. Vite më vonë besimtarët elbasanas i blenë lipsanet e shenjtit kundrejt shumës prej 700 pjastrash. Arka ku ruhen lipsanët është futur në një varr prej guri, mbi të cilin janë skalitur skena nga jeta e shenjtit.
Gjithashtu edhe frankët u përpoqën të grabisnin reliket e shenjtit, por dështuan. Gjatë luftës së dytë botërore në vitin 1944 manastiri është djegur. Gjithashtu edhe gjatë viteve të persekutimit ateist manastiri ka pësuar dëmtime. Manastiri i Shën Gjon Vladimirit ka qenë qendër shpirtërore dhe kulturore jo vetëm për rrethin e Elbasanit, por edhe për tërë Mitropolinë e Tiranës dhe Durrësit. Pas prishjes së kishave më 1967 manastiri i “Shën Gjon Vladimirit” u kthye në repart ushtarak. Në ato vite dëmtimet qenë nga më mizoret dhe manastiri rrezikonte identitetin. Ndërkohë arka me lipsanet e shenjtit u vendos në kishën e “Shën Mërisë” në lagjen Kala të Elbasanit. Në ditët e para të lirisë fetare mbi rrënojat e manastirit filluan të kryheshin ceremonitë fetare, por njerëz të papërgjegjshëm kanë dashur që ta privatizonin. Këmbëngulja e besimtarëve bëri që manastiri të rigjallërohej. Në vitin 1994 kisha e “Shën Mërisë” u zu me forcë nga Nikolla Marku, megjithatë lipsanet e shenjtit nuk u prekën.
Sot lipsanet e Gjon Vladimirit ruhen në kishëzën e Kryepiskopatës së Hirëshme në Tiranë. Në ditën e panairit transferohen për në manastirin e “Gjon Vladimirit” për t’u falur besimtarët.