Kisha e “Shën e Premtes” gjendet në fshatin Valësh të krahinës së Shpatit në rrethin e Elbasanit. Kisha është bazilikë me përmasa 7×2.50 metra e përbërë nga një naos pa shtylla me çati me një kulm. Apsidat janë me të çara vertikale në vend të dritareve. Kisha është pikturuar nga dora e Onufrit në vitin 1554. Pasi përfundoi së pikturuari afresket e kishës së “Shën Kollit” në Shelcan, dora e Onufrit ka pikturuar afresket e kishës së “Shën e Premtes” në fshatin Valësh të Shpatit. Në mbishkrimin e Shelcanit Onufri ka qenë ende laik, ndërsa në mbishkrimin që gjendet në Valësh ai është dorëzuar prift madje ka marë edhe ofiqin protopapë që do të thotë prift i parë. Kjo vërtetohet nga një mbishkrim në greqishten bizantine nga dora e mjeshtrit të madh Onufrit në faqen e murit, në vendin e prothesit: “Kur të ngresh duart e tua nga Perëndia o meshtar i Perëndisë, më përmend dhe mua mëkatarin, prift Onufrin, piktorin dhe protopapë të Neokastrës (Elbasanit)”.
Nga mbishkrimi del se Onufri ka qenë klerik, madje me ofiqin “Protopapë” që do të thotë “Prift i parë”. Ky fakt na jep të kuptojmë se detyra kryesore e një kleriku në kishën ortodokse janë shërbesat e shenjta dhe gjatë kohës që i ngelej Onufri merrej me ikonografi. Kisha e “Shën e Premtes” në fshatin Valësh të Shpatit u pikturua me shpenzimet e prift Gjergj Logothetit në vitin 1554. Kjo vërtetohet nga mbishkrimi i pikturuar në pjesën veriore të faqes së murit perëndimor të kishës: “…u shtua nga katundi i valshakëve dhe është pikturuar me shpenzimet ….dhe fort i devotshmi prift Gjergj i Logothetit ka dhënë e oblla…..(ju) të Neokastrës që e vështroni lutuni për zotërinë që ka dhënë dhuratën, në vitin 7062 (=1554) cikël (të diellit), 12, cikël (të hënës)…”.37 Nga mbishkrimi kuptojmë se Gjergj Logotheti ka qenë prifti i kishës së “Shën e Premtes”. Mbishkrimi gjithashtu na bën me dije se ai ka paguar “oblla”, një lloj paraje që përdorej në Bizant. Në vitin 1554 “obllat” kishin dalë nga qarkullimi dhe monedhat që qarkullonin qenë akçe, aspra ose dukate venedikase. Në këtë rast “obllat” nënkuptonin monedhat e kujtesës, pra florinj të trashëguar nga ndonjë thesar i marrë nga Kostandinopoja pas largimit të familjes së Logothetëve. Me këtë sasi “obllash” është paguar puna e Onufrit.Në pjesën jugore të faqes së murit perëndimor të kishës gjendet një mbishkrim, i cili na bën me dije së katundi i valshakëve këtë kishë ia kushton dëshmores së madhe Shën e Premtes: “Ky tempul i shenjtë i dëshmores së madhe Shën e Premtes….me dëshirë të këtij katundi…..26 piktor Onufri… “
Ikonostasi i kishës së “Shën e Premtes” është prej muri të suvatuar me lartësi rreth dy metra. Ai është i pikturuar edhe nga ana e brendshme e altarit. Në murin verior të altarit Onufri ka pikturuar Krishtin, i cili është duke i treguar rrobën e shqyer Pjetrit të Aleksandrisë. Afresket kanë një lidhje harmonike me njera tjetrën. Në anën e majtë të skenës “Krishti në varr” paraqitet kryedhjakon Stefani, i cili vështron Krishtin, ndërsa në anën e djathtë është pikturuar Stiliti që sodit Jisuin. Afresku kryesor i apsidës është Platitera, ndërsa Grigor Teologu është kthyer nga ajo dhe duke hapur pergamenin lëçit himnin falenderues për të. Paraqitja e Grigor Teologut është afresku më i përkryer që ka pikturuar dora e mjeshtrit më të madh të ikonografisë shqiptare protopapë Onufrit.