Kisha e Shën Premtes, “St. Paraskevi’s Church” Çetë, Kavajë, Shqipëri
Kisha e “Shën e Premtes” gjendet mbi një kodër në lindje të Kavajës. Kisha gjendet mes kurorave me ullishte të kodrave të Çetës. Kjo kishë për vlerat që mbart është shpallur monument kulture në vitin 1963. Kisha përbëhet nga narteksi, naosi dhe altari. Në dyshemenë e kishës gjendet e shtruar me gurë një figurë dielli në formë rrethi. Kisha e “Shën e Premtes” është e ndërtuar sipas stilit romako-gotik. Në faqen e brendshme të murit verior gjenden dy nike, të cilat mbulohen me një hark të ulët. Hyrja për në kishë bëhet nga muri perëndimor. Në anën lindore të kishës kemi apsidën drejtkëndëshe. Muret e apsidës janë ndërtuar me atë teknikë si muret e tjerë, por janë më të skuadruar. Altari ndahej nga naosi me anën e një ikonostasi të drunjtë. Tryeza e Shenjtë është e ndërtuar prej gurësh të lidhur me llaç. Kisha mbulohej nga një çati druri. Mendohet se kisha është ndërtuar rreth shekullit XIII. Mjeshtrit që kanë punuar për ndërtimin e saj duket se nuk e njihnin mirë këtë lloj arkitekture të ndërtimit.
Për ndërtimin e kishës në popull ekzistojë gojëdhëna të ndryshme. Dikush thotë se qenë tre kalorës të kryqëzatave, të cilët përshkonin udhën Egnatia drejt Kostandinopojës dhe kaluan natën në kodrën e fshatit Çetë. Natën kishin parë të tre nga një vegim që të mos niseshin për udhë nëse nuk do të ndërtonin një kishë aty ku kaluan natën. Të nesërmen në mëngjes i rrëfyen njëri tjetrit dhe ndërtuan kishën e “Shën e Premtes”. Një gojëdhënë tjetër thotë se një vajzë e re, iu lut të atit ti ndërtonte një kishë, sepse kishte vendosur ti përkushtohej Perëndisë, duke u shërbyer njerëzve në nevojë. Sipas Theofan Popës një gojëdhënë thotë se ktitorët e kishës qenë disa tregtarë me origjinë bullgare. Këtë fakt e vërteton mishkrimi që gjendet i gdhendur në një pllakë guri mbi portën perëndimore të kishës: “Jan Milio, konsull dhe Gjika dhe Ruso dhe Petro, vëllezërit e tij, viti 1690, korrik 15”.
Ky mbishkrim vërteton se kisha e “Shën e Premtes” ka qenë metoq i Patriarkanës së Ohrit dhe është rindërtuar prej saj në vitin 1690 prej konsullit të Francës, Jan Milio dhe vëllezërve të tij. Afresket e kishës janë realizuar nga vëllezërit Zografi ndërsa 16 ikonat e ikonostasit të kishës janë punuar në vitin 1767 prej Kostandin Shpatarakut. Në ikonën e madhe të Krishtit që gjendet në ikonostasin e kishës është shkruar: “Dora e jerodhiakon Kostandinit, nga Shpati, viti prej Krishtit 1767”.
Në këtë kishë janë bërë shumë shërime, madje edhe në vitet e ndalimit të fesë, njerëzit vinin fshehurazi dhe në shenjë shprestarie ndiznin qirinj. Kjo kishë që i rezistoi shekujve, u dogj nga pakujdesia e dikujt. Flakët dëmtuar çatinë e kishës dhe afresket që qenë pikturuar nëpër muret anësorë. Kanë shpëtuar vetëm afresket që gjenden në altar, por si për ironi të fatit ikonostasi me gjithë ikonat e pikturuara nga Kostandin Shpataraku u zhduk nga kisha para disa vitesh sigurisht i vjedhur dhe vendosur diku në një nga kishat e shteteve fqinje.
Për rindërtimin e kishës kemi të dhëna të sakta, por për ndërtimin fillestar të saj nuk ekziston ndonjë e dhënë dokumentare. A. Meksi, duke u bazuar në tiparet arkitektonike të kishës dhe në analogji me monumente të tjera, e daton kishën e shën e Premtes në Çetë të Kavajës në fundin e shekullit XIII (A. Meksi, “Kishat e Shqipërisë së Mesme e të Veriut”, Monumentet 1, 1984, fq. 105-107).
Piktura murale, e cila vesh gjithë interierin e kishës, e realizuar nga faza të hershme deri në faza të vona, ruan vlera të larta artistike, ndërsa ikonostasi me dru të gdhendur cekët dhe me ngjyrë ari dhe ngjyra të tjera, dhe në tërësi me një pamje që krijon harmoni me pjesën tjetër të interierit, përmbante ikona të mjeshtrit të njohur të shekullit XVIII, Konstandin Shpatarakut.
Legjendat e kanë veshur historinë e ndërtimit të kishës me gjithfarë mrekullish, ndërsa studimet historike e arkitekturore herë i afrohen gojëdhënave e herë vijnë me histori të reja interesante, që e tejkalojnë periudhën e pushtimit anzhuin të shekullit XIII, kohë në të cilën hidhen më së shumti hipotezat e ndërtimit të kishës. Megjithatë, historia mban ende të fshehta kohën e saktë të ndërtimit, emrin e mëparshëm të kishës, rolin dhe funksionin që ka luajtur ajo fillimisht. Punimet e stilit romano-gotik të çojnë në periudhën e vendosjes së Urdhrit Domenikan dhe Françeskan në zonën e Durrësit. Gjatë kësaj kohe u ndërtuan një varg kishash në këtë stil në të gjithë Shqipërinë e Mesme, e deri edhe në disa zona të Veriut. Sipas historianit Hoxha, kisha e fshatit Çetë mendohet të jetë e fundit e këtij stili e ndërtuar për nga drejtimi i Jugut, por sot e vetmja e këtij stili që i ka rezistuar shekujve. Dokumentacioni më i vjetër historik daton më 1691. Kjo periudhë njihet si koha e kalimit nga kishë katolike në ortodokse. Ndonëse u bënë rikonstruksione, shumë elemente romano-gotike vazhdojnë të ruhen ende sot. Vëllezërit e famshëm korçarë Zografi pikturuan në miniaturë të katër faqet e kishës. Ndërsa Kostandin Shpataraku kontribuoi me rreth 16 ikona, ndër të cilat edhe ikonostasin tashmë të zhdukur. Në gjendjen e sotme, kisha përbëhet nga altari, narteksi dhe naosi. Ndërtimi i një figure dielli (formë rrethi) me gurë në dyshemenë e kishës ka ngjallur interesin e shumë studiuesve. Ky simbol, sipas arkeologut Afrim Hoti, të çon në hipotezën se objekti i kultit duhet të jetë akoma më i hershëm se shekulli XIII, pasi simboli i diellit lidhet me paganizmin.
Atje ku dokumentet historike mbarojnë, nisin legjendat. Ato flasin për kalorës që përshkonin rrugën “Egnatia” buzë kishës drejt Kostandinopojës. “Sipas gojëdhënave, ishin tre kalorës që shkonin drejt Kostandinopojës ata që e ndërtuan kishën”, tregon Rifat Hoxha. Kryqtarët që përshkonin rrugën “Egantia”, ishin nisur për të çliruar Jerusalemin dhe varrin e Krishtit. Aty në kodrën e fshatit Çetë ata kaluan natën. Në mëngjes i kishin rrëfyer njëri-tjetrit ëndrrën e njëjtë të parë nga secili prej tyre. Shenjtorët i kishin kërkuar të mos niseshin për rrugë pa ndërtuar aty një kishë. Vendi i mirë do t’u vinte në ndihmë mjaft njerëzve… Sanije Derjaji, 83-vjeçarja që banon thuajse ngjitur më ndërtesën e kishës, di tjetër histori për ndërtimin e saj. Legjenda e Sanijes ngjan me vetë historinë e shenjtores Parashqevi (Shëna Premtja). “Vajza e re e kishte shtëpinë këtu afër. I tha të atit se kishte vendosur të mos martohej kurrë dhe iu lut atij t’i ndërtonte një kishë ku do kalonte jetën duke u shërbyer të gjithë njerëzve në nevojë. Kur vajti të ndizte qirinjtë, i thanë se ata ishin ndezur vetë”, tregon e moshuara. Sipas nënë Sanijes, gjatë atyre viteve njerëzit që kishin halle apo që ishin të sëmurë, vinin fshehurazi të luteshin në kishë. “Njerëzit kishin shumë besim në atë vend të mirë, vinin nga ana e anës”, tregon gruaja e moshuar, e cila e mirëmbante objektin në ato vite. E moshuara tregon se në kishë kanë sjellë njerëz të sëmurë, që nuk shihnin e nuk dëgjonin, por pasi kanë qëndruar një natë në kishë, të nesërmen ishin të shëruar.
Kisha u mbrojt nga banorët
Kisha e shpallur monument kulture në vitin 1963 thuajse ia hodhi vendimit të vitit 1967, kur u vendos nga sistemi unifikues i komunizmit të shkatërroheshin të gjitha objektet e kultit fetar. Megjithatë, sipas historianit Rifat Hoxha, kishën më së shumti në këto vite e kanë ruajtur vetë banorët e zonës, të cilët ndonëse ishin të besimit mysliman, kundërshtuan me forcë shkatërrimin e kishës. Objekti, i ruajtur me fanatizëm prej shtatë shekujsh, humbjen më të madhe e ka gjatë viteve të fundit. Ndonëse i shpallur monument kulture, mungojnë fondet shtetërore për mirëmbajtjen dhe studimet më të thelluara për historinë e saj. Gjithësesi ajo në 11 shkurt 2011 është vjedhur gjatë procesit të restaurimit .
Referenca :
Vendhodhja – Harta