Bazilika e Ballshit ka qenë kishë manastiri, së cilës kohë pas kohë i janë shtuar mjedise ndihmëse. Fillimisht bazilika është ndërtuar në shekullin VI dhe ka pasur dy faza rindërtimesh, në shekullin XI dhe në shekullin XII. Kisha katedrale është e tipit bazilikal trenefëshe me narteks dhe eksonarteks. Bazilika ka përmasa 22.50×17.20 metra. Secila nga nefet përfundon me apsida, dy në formë gjysmërrethore, ndërsa ajo e qendrës është trifaqëshe.
Brenda absidës gjendet një podium me tri shkallë. Narteksi lidhej me naosin nëpërmjet dy portave, ndërsa një portë e tretë lidhte kishën me paraklisin. Muret e bazilikës janë ndërtuar me gurë të skuadruar të lidhur me llaç të kuqërremtë me breza tullash. Në ndërtimin e bazilikës janë përdorur materiale antike të prura nga kishat e Bylisit.
Gjatë luftës së parë botërore një oficer austriak i quajtur Camillo Prashniker zbuloi në Ballsh të Mallakastrës një mbishkrim në greqishten bizantine të gdhendur në një shtyllë mermeri të lartë 1.60 metra: “U pagëzua sundimtari i Bullgarisë Borisi Car, i quajtur Mihal së bashku me popullin e tij, të dhënë prej Perëndisë në vitin 637.” Kjo datë është dhënë sipas kalendarit bizantin ku sipas kalendarit të ri Gregorian i përket vitit 866 pas Krishtit.5 Pagëzimi i Borisit u bë në një ceremoni madhështore në kishën e Ballshit dhe nuni i tij u bë perandori bizantin Mihali III (842-867) me anën e një përfaqësuesi të tij. Borisi (852-889) mori emrin e nunit të tij, Mihal. Mbi një gur të bardhë gëlqeror me qoshe të rrumbullakët gjendet ky mbishkrim: “O zot ndihmo shërbëtorin tënd Pakatianin krijuesdashësin, dhe shërbëtoren tënde Aglainë, porosidashësen dhe të përvuajtur. Shën Andre, ndihmo shërbëtoren tënde Pakatan”. Anët e gurit janë të zbukuruara me ornamente florale. Në faqen kryesore gjendet një kornizë e gjerë me dhëmbëza dhe një shkop margaritarësh kufizojnë një fushë të ngushtë. Poshtë gjendet një ornament hardhie i stilizuar me dy zogj të vendosur në
mënyrë simetrike. Kuptimi i këtij mbishkrimi është: Pakatianoi duke iu lutur Zotit së bashku me gruan e tij Aglaia dhe të bijën Pakta, ia kushtojnë këtë kishë Shën Andreas.
Leave a reply